16 qershor 2010

Mëkat = spekator?


Po shihnin në televizion Argjentinë - Nigeri e janë vrarë nga talebanët somalezë, që konsiderojnë futbollin si një pasion i njerëzve të pafe dhe që duhet përjashtuar nga shoqëria e re që fanatikët myslimanë po kërkojnë të ndërtojnë, me dhunë, në Somali.


Ka ndodhur të shtunën e kaluar, në lagjen Huruwaa, në zonën verilindore të Mogadisho, e kontrolluar nga lëvizja Shebab. Dymbëdhjetë të apasionuar të futbollit ishin mbledhur për të ndjekur ndeshjen midis kombëtares së Maradonës dhe asaj nigeriane.

Ishin mbledhur fshehurazi e kujtonin se ishin të sigurtë, por në një farë mënyre janë zbuluar nga një bandë talebane që, me breshëri kallashnikovi, kanë vrarë dy djem sapo kishin provuar t'ja mbathnin. Të gjithë të tjerët janë arrestuar dhe do të gjykohen nga gjykata islamike.

Sheiku Abu Yahya Al Iraqi, para se të fillonte botërori, ka qenë i rreptë:

"Futbolli rrjedh nga kulturat antike të krishtera dhe administrata jonë islamike nuk do t'ua lejojë kurrë njerëzve ta ndjekin".

Edhe një tjetër sheik, Mohamed Ibrahim, i ka deklaruar agjensisë France Presse:

"Futbolli është një humbje kohe. Nëse dikush dëshiron ta praktikojë mund ta bëjë për llogari të tij, por shkuarja në kinema dhe ndjekja e ndeshjeve të futbollit është e ndaluar nga Islami. Futbolli është krijuar për të verbuar brezat e rinj dhe për t'i penguar që ti luten Allahut".

___________________________________

vazhdo leximin ...
___________________________________

25 qershor 2009

Preferenca biblike

1. Cila është pika e përbashkët midis Biblës dhe një Bar?
Bari hapet përditë, po Bibla?

2. Cili është libri i preferuar nga matematikanët?
Numrat sigurisht!

3. Cilët janë librat e preferuar nga gazetarët?
Librat e Kronikave!

4. Vargu i preferuar i boksierëve?
Veprat 20:35

___________________________________

vazhdo leximin ...
___________________________________

24 qershor 2009

Kundërshtarë, Aleatë apo Indiferentë

Nëse do të pyesnim njerëzit rreth e rrotull se ç'lidhje ka Bibla (apo teologjia) me shkencën do të merrnim, sipas bindjes së secilit, këto përgjigje:

1. nuk kanë asnjë lloj lidhje
2. kanë pikëpamje të ndryshme
3. janë në kundërshtim
4. mbështesin njëra-tjetrën


nuk kanë asnjë lloj lidhje

Në Bibël ka shumë fakte historike apo dëshmi shkencore që njeriut i janë dashur mijëvjeçarë për t'i vërtetuar. Megjithatë prania e fakteve dhe e provave biblike nuk e bën Biblën një libër shkencor apo libër historie. Synimi i saj është prezantimi i Perëndisë dhe i planit të tij për njeriun.
Shumë njerëz e përçmojnë Biblën deri në atë pikë sa nuk e marrin në konsideratë apo e katalogojnë si një libër përrallash. Për këta njerëz, fakte historike apo dëshmi shkencore që gjenden në Bibël janë thjesht një koinçidencë, një rastësi e rrjedhur nga fantazia.
Një konkluzion i tillë tregon mosnjohjen e Biblës nga ana e tyre. Këto deklarata vijnë pikërisht nga ata njerëz që përpiqen ta evitojnë Biblën dhe mesazhin e saj (ndoshta për të qetësuar ndërgjegjen).

kanë pikëpamje të ndryshme

Është e vërtetë që Bibla dhe shkenca interpretojnë botën nga këndvështrime të ndryshme. Bibla ka karakter frymor dhe jep një spiegim frymor të botës e të historisë, spjegim që duhet pranuar me besim. Perëndia nuk ka dashur që nëpërmjet Biblës të spjegojë çdo imtësi të Krijimit, por ka dashur t'i shpallë njeriut aq sa është e nevojshme për të besuar. Kreacionistët shkencorë hapin Biblën për të gjetur përkufizime apo koncepte shkencore sepse vëmendja e tyre është e përqendruar më shumë në debatin kundër evolucionit sesa në bindjen e njerëzimit për mëkatin që i rëndon mbi supe. Të përdorësh Biblën si manual shkencor për të vërtetuar bindjet personale ka rezultuar e dëmshme sepse koha ka treguar që çdo spjegim që kreacionistët kanë dhënë përputhej me njohuritë e asaj periudhe (me kalimin e kohës dhe me rritjen e nivelit të njohjes këto spjegime kanë rezultuar të mangëta).
Shkenca ka karakter hulumtues dhe jep një spjegim material të botës, dhe sigurisht nuk merret aspak me çështjen e mëkatit apo me shpirtrat. Interpretimet shkencore shumë herë shfaqen jo të plota apo edhe të gabuara sepse bazohen në provat e disponueshme (të kufizuara), në kapacitetin intelektiv dhe në njohjen e kufizuar të njeriut, dhe varen drejtpërdrejt nga niveli i teknologjisë.
Kush përpiqet të ndajë shkencën nga Bibla duke i konsideruar fusha të ndryshme zakonisht janë persona që nuk kanë një marrëdhënie personale me Perëndinë, por merren me shkencë gjatë javës duke lënë Biblën vetëm për të djelën.

janë në kundërshtim

Shumë njerëz besojnë se Bibla nuk bie dakord me shkencën. Shpesh ky arsyetim përdoret nga ata që i kundërvihen Biblës, por është i pabazë. Kush arsyeton në këtë mënyrë nuk heziton të përmendë rastin e Galileo Galileit. Zbulimi i Galileit nuk binte ndesh me Biblën por me bindjet njerëzore të asaj kohe. Bibla flet për Perëndinë e ulur mbi globin tokësor, por kardinalët e asaj kohe kishin bindje të tjera (që nuk kanë asnjë mbështetje biblike).
Charles Hodge ka trajtuar këtë argument në "Systematic Teology" (1981):

"Teologët nuk janë të pagabueshëm në interpretimin e Shkrimeve. Prandaj mund të ndodhë në të ardhmen, ashtu si ka ndodhur tashmë edhe në të kaluarën, që disa interpretime të Biblës, për shumë kohë të pranuara me besim, do të duheshin modifikuar apo braktisur, për ta çuar zbulimin në harmoni me atë që Perëndia mëson në veprat e tij. Ky ndërrim perspektive në lidhje me domethënien e vërtetë të Biblës mund të jetë një provë e vështirë për kishën, por nuk zhvleftëson aspak autoritetin e Shkrimeve. Ato mbeten të pagabueshme; jemi thjesht të bindur se kemi keqkuptuar domethënien e tyre".

Megjithatë edhe nga krahu i shkencës ka pasur shkencëtarë që kanë ushqyer këtë konflikt.
P.sh. teoria e gjendjes së qëndrueshme e Fred Hoyle në vitet '50 ishte formuluar haptas për të mbështetur ekzistencën e një universi të përjetshëm e të pafund (që nuk ka pasur kurrë fillim) duke ju kundërvënë publikisht doktrinës së krishterë të "creatio ex nihilo" (krijimi nga hiçi), por me zbulimin e rrezatimit kozmik në fund të viteve '60, teoria e Hoyle rezultoi tërësisht e gabuar.

mbështesin njëra-tjetrën

Nëse Biblën do ta merrnim seriozisht duke evituar interpretimet banale njerëzore, dhe gjithashtu edhe shkencën ta veçonim nga hipotezat e fantazitë, atëherë do të kishim një harmoni absolute midis të vërtetave biblike dhe zbulimeve shkencore. Bibla është fjala e Perëndisë, Krijuesit. Të thuash që kjo fjalë nuk gjen aprovim shkencor apo faktik është më shumë se mosbesim, është një blasfemi kundër Perëndisë, ndërsa nga ana tjetër quhen shkencë përrallat me peshq që, dalëngadalë, shndërrohen në majmuna apo sa e sa hipoteza të paprovuara.
Tashmë dihet shumë mirë se njeriu përbëhet nga elementë kimikë ashtu si dhe gjithë rruzulli tokësor, por një gjë të tillë Bibla e deklaron që në faqet e para të saj. Zbulimet arkeologjike kanë hedhur dritë mbi përmbytjen universale (edhe pse me ndihmën e fantazisë së ushqyer nga skepticizmi, shumë shkencëtarë përpiqen të reduktojnë përmasat e kësaj ngjarje). Karburantet që sot përdoren janë një rezultat i kësaj përmbytjeje. Ndëshkimi i Sodomës e Gomorrës sot spjegohet shkencërisht me një shpërthim gazi që në atë periudhë ishte rezultat i dekompozimit të qenieve të përmbytura
(ajo zonë është më e pasura në botë me naftë e gaz). Prova të tjera arkeologjike flasin për jetën skllavërore të Izraelit në Egjipt. Luftrat që ka kaluar populli i Perëndisë gjenden të dokumentuara jo vetëm në Bibël, por në çdo libër historik që i referohet asaj periudhe. Edhe Galileo Galilei zbuloi një të vërtetë që Bibla kishte deklaruar mijëra vjet më parë. Lista e fakteve në mbështetje të Biblës është shumë e gjatë.
Zbulimet shkencore të bazuara në fakte, prova apo dokumente nuk kanë kundërshtuar asnjë presje të Biblës, përkundrazi e kanë vërtetuar.


___________________________________

vazhdo leximin ...
___________________________________

04 maj 2009

Dyshimi e mosbesimi

Eksodi 14: 11-31
11 dhe i thanë Moisiut: "Pse, nuk kishte varre në Egjipt, që na solle të vdesim në shkretëtirë? Pse e bëre këtë gjë me ne, duke na nxjerrë nga Egjipti? 12 A nuk ishte vallë kjo për të cilën të flisnim në Egjipt, duke të thënë: "Na lër rehat, kështu do të mund t'u shërbejmë Egjiptasve"? Sepse për ne do të qe më mirë t'u shërbenim Egjiptasve se sa të vdesim në shkretëtirë". 15 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Pse më bërtet mua? U thuaj bijve të Izraelit të shkojnë përpara. 21 Atëherë Moisiu shtriu dorën e tij mbi detin; dhe Zoti bëri që të tërhiqet deti nga një erë e fortë nga lindja që fryu tërë atë natë dhe e shndërroi detin në tokë të thatë; dhe ujërat u ndanë. 22 Kështu bijtë e Izraelit hynë në mes të detit në të thatë; dhe ujërat formonin si një mur në të djathtë dhe të majtë të tyre. 25 Ai bëri të shkëputen rotat e qerreve të tyre (
Egjiptasve) dhe e bëri të vështirë përparimin e tyre. Kështu Egjiptasit thanë: "T'ia mbathim para Izraelit, sepse Zoti lufton bashkë me ta kundër Egjiptasve". 28 Ujërat u kthyen dhe mbuluan qerret, kalorësit dhe tërë ushtrinë e Faraonit që kishin hyrë në det për të ndjekur Izraelitët; dhe nuk shpëtoi asnjë prej tyre. 29 Por bijtë e Izraelit vazhduan të ecnin në tokë të thatë në mes të detit, dhe ujërat qenë për ta si një mur, në të djathtë të tyre dhe në të majtë të tyre.


Endja e Izraelit nëpër shkretëtirë është një analogji e ecjes së krishterë.
Përpara se të kthehej te Perëndia, çdo i krishterë kishte një lidhje skllavërie e nënshtrimi me mëkatin që kishte komandën dhe zotërimin total të tij. Realiteti i një skllavi reduktohet në një vizion të kufizuar që nuk njeh vetëvendim apo plan, por thjesht nënshtrim e bindje. Edhe jeta në këtë dimension përkufizohet si një rrjedhojë e këtij nënshtrimi.
Me pak fjalë, po të shohim realitetin që na rrethon, do vemë re se mëkati përfshin çdo fushë të jetës e do të kuptojmë përse shqiptarët sot janë pothuajse të bindur se me ndershmëri nuk shkohet larg apo se pa shkelur ligjin nuk përparohet. Shpesh kjo skllavëri, edhe pse e rëndë, pëlqehet.
Populli i Perëndisë është çliruar nga kjo skllavëri me anë të një vepre të fuqishme nga ana e Perëndisë e megjithatë, përndiqet vazhdimisht nga lidhjet e mëparshme që kishte me botën. Këto lidhje kërkojnë të resetojnë gjëndjen e mëparshme, duke përdorur tërë arsenalin e tyre frikësues e, sidomos kur paraqiten vështirësitë, mund të arrijnë të krijojnë një ndjenjë pasigurie, pothuajse pendim për tu kthyer si më parë.
Kush mendon se ecja e krishterë është e lehtë, pa vështirësi apo një livadh me lule tregon se nuk ka kuptuar mirë për ç'rrugë po flasim. Ecja e krishterë është e mbushur me vështirësi, dhe kjo është e shprehur mirë në Bibël. Këto vështirësi shfaqen përpara nesh ashtu si deti, të mëdha, të frikshme e të pakalueshme. Izraeli përpara një vështirësie të tillë, shihte qoftë mungesën e mjeteve për të kaluar vështirësinë, qoftë pamundësinë për të përballuar përndjekjen. Personalisht ka pasur raste që jam ndjerë në gjendje të tillë, por në kësi rastesh nuk duhet të harrojmë që Ai që na ka shpëtuar e na ka drejtuar deri këtu është më i madh se mëkati që na përndjek e sigurisht për të përballuar vështirësinë ka një plan.
Izraeli, ishte çliruar nga Perëndia, kishte ecur nën drejtimin e Perëndisë deri në atë pikë, kishte parë nga afër veprat që Perëndia kishte kryer për të, por këtu tregon se këtë Perëndi nuk e njihte sa duhej, aq sa për ti besuar edhe në këtë rast. Përpara vështirësisë kishte harruar premtimet e Perëndisë apo ndoshta dyshonte realizimin e tyre.
Perëndia i ka bërë popullit të tij premtime të çmueshme e përpara vështirësive urdhëron të ecim drejt këtyre objektivave. Toka e premtuar gjendej përtej detit, e për ta kaluar duhej të hidhnin hapin e parë në atë drejtim. Kjo lëvizje kërkon besim. Ajo që kishte ndalur Izraelin nuk ishte vështirësia por ishte mosbesimi, ajo që frikësonte Izraelin nuk ishte përndjekja por ishte dyshimi.
Si të krishterë, le të hedhim hapin në drejtimin që Zoti na tregon, e përballë vështirësive apo përndjekjeve le të shohim premtimet e Perëndisë. Perëndia e mban fjalën, prandaj nuk ka përse të dyshojmë apo të frikësohemi. Ai det që hapet për ne, mbyt çdo lidhje që më parë kishim me botën, çdo përndjekje apo dyshim.
___________________________________

vazhdo leximin ...
___________________________________

20 prill 2009

Të përkushtuar vetvetes

A e don vallë Zotin e tij ai që duke parë Jezusin të kurorëzuar me gjemba, dëshiron për vete një kurorë dafine? Në qoftë se Jezusi u ngjit në fron nëpërmjet kryqit, a duhet të shkojmë në triumf mbi shpatullat e një turme miratuese? Mos u iluziononi kaq kotësisht! Konsideroni çmimin që është për tu paguar dhe, nëse nuk jeni të gatshëm për të marrë mbi veten kryqin e Krishtit, kthehuni pra në dyqanin e në punët tuaja dhe dedikohuni atyre! Më lini vetëm ti pëshpëris veshit tuaj: "Ç'dobi do të ketë njeriu të fitojë gjithë botën, nëse më pas do të humbë shpirtin e vet?"

Charles Haddon Spurgeon


Të shërbesh në kishë është jo vetëm një detyrë por edhe një dëshirë e çdo të krishteri. Një pjesë e mirë e të krishterëve shfaqin një ndjeshmëri të veçantë ndaj nevojës për të zbuluar dhuntitë apo talentet personale me qëllim që nën drejtimin e Zotit, të kontribuojnë në ecjen e krishterë të Kishës. Nevoja për të praktikuar dhuntitë frymore është një domosdoshmëri biblike, që nxitet e ushqehet nga Fryma e Shenjtë.
Por jo gjithmonë ndjeshmëria ndaj kësaj nevoje është parë në këndvështrimin frymor të përkushtimit ndaj Zotit e të shërbimit për Kishën e Tij. Shpeshherë ndodh që kjo ndjeshmëri të nxitet nga dëshirat, krejtësisht njerëzore, për të dalë mbi të tjerët apo për të ushtruar autoritet mbi ta.

Çdo shërbim në kishë nuk duhet marrë si një iniciativë individuale për të kënaqur dëshira individuale. Të shërbesh në kishë është një detyrë e caktuar nga Zoti e mund të kryhet vetëm nëse karakterizohet nga dashuria për Kishën dhe për veprën e Zotit. Të duash kishën ka një domethënie më të thellë se shërbimi e nuk mund të reduktohet thjesht me dëshirën për të komanduar. Sigurisht nuk po flasim për një fenomen të ri në historinë e Kishës. Apostulli Pjetër u bën thirrje Pleqve (drejtues) të kohës së tij për të qenë “shembuj të tufës” e jo “zotërues” të saj (1 Pjetrit 5:1-4).

Fakti që këto probleme kanë qenë të pranishme në historinë e Kishës nuk justifikon aspak praninë e tyre në kishat e kohës tonë. Të konstatosh sot, në ndonjë kishë, të krishterë që shohin në rolin e tyre mundësinë për të komanduar, është më shumë se e trishtueshme. Kur shërbimi për të cilin këta besimtarë janë thirrur përdoret për të ushtruar autoritet mbi të tjerët, nuk kemi të bëjmë me një përkushtim ndaj Zotit, por ndaj vetvetes.

Ky artikull nuk synon aspak të justifikojë rebelimin ndaj drejtuesve apo besimtarëve të përkushtuar në kishë, por përkundrazi të ndërgjegjësojë çdo të krishterë për të rishikuar nëse roli i tij në kishë është me të vërtetë një rol shërbyes.

Para se të kërkojmë të ndryshojmë botën nëpërmjet fuqisë së ungjillit, duhet të lëmë këtë ungjill të ndryshojë neve, duke e zëvendësuar çdo ndjenjë superioriteti me ndjenjën e shërbimit ndaj të tjerëve me përulësi. Drejtimi i kishës në formë sundimi dëshmon për mosnjohjen ose mosbesimin e shembullit të shërbimit që Krishti ka lënë, shembull që çdo i krishterë duhet të ndjekë.


___________________________________

vazhdo leximin ...
___________________________________